“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan, çfarë realisht ngjau para 635 vjetësh?
Kosova si Shqipëria/ Hidrocentralet e ndërtuara me shkelje dhe pa leje
Lejet e dhëna dhe ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë ka të njëjtën problematikë me Shqipërinë. Problemet dhe dyshimet për afera korruptive janë hedhur në një raport të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Raporti është siguruar nga Radio Evropa e Lirë, që thotë se për këto gjetje është vënë në dijeni edhe ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.
Raporti rekomandon që të ndërpritet operimi i të gjitha hidrocentraleve që operojnë pa leje mjedisore, si dhe të hetohen të gjithë zyrtarët për shkeljet ligjore, që kanë karakterizuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.
Grupi punues po ashtu kërkon që të shfuqizohen të gjitha aktet e lëshuara në kundërshtim më ligjin, si dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, deri në miratimin e planeve për menaxhimin e lumenjve.
Në rast se gjetjet e raportit merren parasysh nga Qeveria, atëherë shumica e hidrocentraleve do të jenë të obliguara që për një afat të pacaktuar, të ndalin punën e tyre.
Prej kohës kur filloi ndërtimi i hidrocentraleve në atë që njihet si Gryka e Deçanit, pati kundërshtime të banorëve të zonës, mirëpo kjo nuk i pengoi institucionet, e as autoritetet lokale që të lejojnë ndërtimin e tyre.
Për hidrocentralet që ndodhen në rrjedhën e Lumëbardhit në Deçan, në raportin e grupit punues, konstatohet se përveç që është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, po ashtu kanë ndodhur shkelje ligjore në ndërtimin e objekteve të hidrocentraleve.
Kundërligjore te këto hidrocentrale ka rezultuar të jetë edhe një marrëveshje për shfrytëzim të tokës pyjore që kompania Kelkos Energy, kishte nënshkruar me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Sipas raportit, shpeshherë, hidrocentralet kanë bërë ndërhyje në projekt pa pëlqimin e Ministrisë.
Dy nga hidrocentralet e Deçanit, “HC Deçani” dhe “HC Belaja”, janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit. Sa u takon hidrocentraleve të Deçanit, grupi punues i ka rekomanduar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të detyrojë kompaninë Kelkos Energy, që mes tjerash të kushtëzohet me lëshimin e lejes mjedisore për ndërtimin e digës në liqenin në Zallin e Rupës, pasi kjo kishte qenë edhe marrëveshje në mes të investitorit dhe komunës së Deçanit.
Një nga hidrocentralet kryesore në atë që njihet si kaskada e Lepencit e që është hidrocentrali Brezovica, vazhdon të operojë pa leje mjedisore. Ky hidrocentral, që është në pronësi të kompanisë “Matkos Group”, ka arritur që të marrë pëlqim ujor pa i përmbushur kushtet ujore.