
Pse po hamendet Shqipëria – Një foto e Dua Lipës është më e vlefshme se krejt çka mund të ofrojë Goran Bregoviqi

Një përplasje debatesh po ndodh aktualisht mes shqiptarëve opinionistë nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria pas vendimit të Bashkisë së Korçës që në Festën e Birrës të jetë mysafir special Goran Bregoviq, një ish-pop rock simbol i Serbisë e ish-Jugosllavisë, por i cili u përfshi në anën e nacionalizmit serb gjatë krimeve të tmerrshme mbi shqiptarët, boshnjakët e të tjerët.
Së fundmi, jo vetëm gazetarë e opinionistë kosovarë, por edhe disa nga Shqipërisë kanë bërë thirrje që të bojkotohet “arti” i Bregoviqit në Korçë, pasi që lëndon ndjenjat e vëllezërve nga Kosova, të cilët viteve të fundit kanë qenë burimi kryesor i turizmit dhe të hyrave buxhetore për Shqipërinë, e cila bashkë me Kosovën mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës.
Goran Bregoviq, i cili në kohën e ish-Jugosllavisë mbahet mend për shumë vepra muzikore, ndër të cilat edhe atë “kosovska”, nuk po gjykohet si i papërshtatshëm nga kosovarët sepse ai është një serb, por se ai ishte i pozicionuar në anën e terrorit e krimit gjatë luftës së fundit.
Korça, organizatore e Festës së Birrës, po ia sheh për të madhe Kosovës pse po e përzien artin e kulturën me politikën. Por, ka diçka që korçarët nuk po e kuptojnë. Ishte vet Bregoviq ai i cili e përziu keq politikën me artin e tij dhe tanimë nuk mund të rikthehet në veshët e kosovarëve si muzikanë e as si artist.
Dua Lipa po bën ambasadoren e turizmit
Ndërsa debatet po vazhdojnë, në anën tjetër, është pop ylli me famë botërore, me rrënjë e origjinë shqiptare nga Kosova, por që jeton në Britani të Madhe, Dua Lipa, ajo që po ia bën ambasadoren me të mirë turizmit të Shqipërisë. Secila foto e saj me përshkrimin dhe fjalët më të bukura për Shqipërinë, dhe brendgetin shqiptar, menjëherë gjen vend në mediat më të njohura botërore.
Dua Lipa, edhe pse në mënyrë krejt indirekte dhe pa u përfshi në këto debate, po i hedh poshtë të gjitha argumentet e adhuruesve të artit e kulturës serbe në Shqipëri se “kosovarët janë me mendësi primitive që nuk pranojnë asgjë nga e sotmja dhe se jetojnë ende në të kaluarën”.

Me këngët e Bregoviqit, Shqipëria mund të humb shumë nga turizmi, kurse me praninë e divës, Dua Lipa mund të përfitojë mijëra herë më shumë, marrë parasysh gjithë marketingun që ajo i bëri këto ditë bregdetit të bukur shqiptar para miliona ndjekësve të saj në rrjetet sociale dhe mediave botërore. Nesër shumë prej atyre që sot po ia pëlqejnë fotot Duas, do të jenë vizitorë të brengedit shqiptar, duke ndihmuar kështu zhvillimin e Shqipërisë dhe duke ndihmuar mirëqenien e shqiptarëve në përgjithësi.
Gjithë ky muhabet ka të bëj vetëm me një foto të Dua Lipës që vlen sot më shumë se krejt repertori i Bregoviqit, sepse nëse flasim për veprat muzikore, Dua sot është një prej pop yjeve më të kërkuara në botë, e Bregoviq ka mbetur në Serbi dhe në ndonjë vend ballkanik që din pak për të, si Shqipëria.

Çfarë thonë artistët dhe pse bëhet thirrje për bojkot
Në qytetin e Korçës do të rikthehet në datat 18-22 gusht Festa e Birrës. Këtë vit ka marrë vëmendje të madhe ky event për shkak se do të jetë i ftuar edhe këngëtari serb, Goran Bregoviç.
Lajmi është konfirmuar nga vetë organizatorët e festivalit, të cilët e kanë konsideruar atë si të ftuarin special të natës finale.
Një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga shumë personazhe të njohur të ekranit, të cilët e konsiderojnë Goran si një nga artistët që ka frymëzuar masakrat e serbëve kundër Kosovës.
Bregoviç ka qenë fyemëzues e idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë, sidomos me këngën “Kalashnikov”.

Një ndër artistes shqiptare që reagoi për ardhjen e këngëtarit serb në Shqipëri, ishte Besa Kokëdhima. Kjo e fundit u bëri thirrje të gjithëve që të bojkotojnë pjesëmarrjen e tij në këtë festë pasi sipas saj, ai është një artist i mirë, po jo dhe njeri i mirë.
Në postimin e saj ka reaguar edhe Vesa Luma, e cila edhe më herët është shprehur kundër pjesëmarrjes së këngëtarit.

“Pavarësisht çfarë artisti është, vetëm pak respekt duam ne për dhimbjen tonë që ky e ka frymëzu me muzikën e tij”, shkruan këngëtarja e njohur, e cila gjithashtu ka postuar një foto të Goran, ku shfaqet teksa dekorohej nga Vuçiç në shkurt të këtij viti, një ditë para Pavarësisë së Kosovës.

“Urime Urime”, shkroi Vesa në mbishkrimin e fotografisë së publikuar, ku Goran shkroi se ai u dekorua për shkak se përfaqësoi Serbinë dhe arritjet e larta në muzikë.
Edhe moderatorja e njohur, Fatma Haxhialiu ka bërë një postim në “Instagram”, ku është shprehur totalisht kundër ardhjes së tij. Ajo bën një qartësim se çfarë është art dhe si ngatërrohet arti në Shqipëri duke dashur kështu të japë mesazhin për ndalimin e ardhjes së tij në vendin tonë.

“Sot, ne bote cancel culture, ku fansat anullojne koncerte dhe kompani gjigande prishin kontratat e imazhit me personazhe te medhenj, kur keta te fundit prekin qofte dhe me batute nje komunitet te caktuar, eshte gjeja me normale!
Sot me shume se kurre vleresohet me shume “te qenit njeri” perpara te qenit artist!
Sot, artistet masin mire cdo fjale, sepse njerezit nuk falin!!!
Njerezit ashtu sic e ngrejne, ashtu dhe mund ta fundosin nje artist, sepse artisti nuk jeton dot pa publik, merr fund!!!
Nderkohe … ne Shqiperi luhet Ceca e Arkanit dhe ftohet per te trazuar ujerat Kallashnikovi i preferuar i shkjaut!!!
Ka do zera qe flasin per art e se arti nuk ngaterrohet me politike, artin degjojani ne arena te tjera sa t’ju doje qejfi, po boll provokuat debate te liga qe ende lendojne plaget si dje!
Sa kohe nje artist nuk distancon artin e vet nga politika, atehere dhe arti i tij eshte po aq i felliqte!!!!
Varret jane akoma hapur, nenat e bijve te zhdukur pa varre jane ende gjalle, viktimat e perdhunimit, jetimet, te gjymtuarit po ashtu… sa turp per ty Shqiperi!
E per t’ju kthyer kultures cancel, une i kisha lut vellezerit e motrat e Kosoves te anullonin cdo pushim e cdo shpenzim ne nje vend, qe jo vetem nuk i respekton, por i ngul thiken ne plage ne menyren me te neveritshme!!!
#cancelfestaebirreskorce”, shkruan Fatma.

Një tjetër personazh publik që bie dakord me Fatma Haxhialiu dhe nuk dëshiron ardhjen e Bregovic në Shqipëri, është Fjoralba Ponari. Në një “InstaStory” ajo shfaq hapur zemërimin e saj në lidhje me artistin serb. Sipas saj, nuk konceptohet festimi e hareja me asnjë artist serb që ka bërë thirrje lufte me muzikën kundër shqiptarëve.