Mesfushori italian i ofrohet Barcelonës, por e duan vetëm 6% e tifozëve
Kurti e uron për mandatin e tretë, Rama thotë se me dëshirë do të vizitojë Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një letër urimi kryeministrit Edi Rama për krijimin e qeverisë së re. Në letrën e tij, Kurti shkruan se ky mandat i tretë i Ramës, është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte që priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Kurti tregohet i gatshëm për të bashkëpunuar për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimit tregtar.
“Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë”, shkruan Kurti.
“Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thotë kryeministri i Kosovës.
Kurti fton Ramën që të vizitojë Kosovën, për të zhvilluar më pas një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive.
“Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë”, thuhet në letrën dërguar Ramës.
Mw pas, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut Albin Kurti për të vizituar Kosovën, si kryetar i qeverisë shqiptare në mandatin e tretë.
Përmes një postimi në “Twitter”, Rama ka shkruar se do ta vizitojë me kënaqësi Kosovën.
Këtë vizitë ai e paralajmëroi pas kthimit nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Faleminderit @albinkurti ! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, ka shkruar ai.