“Buzëqeshin” Milani dhe Juventusi, Zirkzee kushton më pak seç mendohej
Të arrestuarit për terrorizëm “blenë” armë nga policia (VIDEO)
Në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për paraburgimin e pesë personave të arrestuar, të dyshuar për terrorizëm, thuhet se armët e sekuestruara që u gjetën gjatë bastisjeve, ata i kishin blerë nga Policia e Kosovës.
Këto armë u blen gjatë një shitblerjeje të simuluar nga Policia e Kosovës.
Disa nga Prizreni, të tjerë nga Peja e dikush nga Klina. A.Gj, N.S, E.S dhe M.B, u bënë bashkë në mars të këtij viti, siç pretendon Prokuroria Speciale, për të planifikuar hiç më pak se vepra terroriste.
E për t’i kryer aktet u ndihmoi Sh.K duke ua siguruar armët automatike e ato plasëse.
Për këtë vepër më 5 tetor u zgjeruan hetimet nga Drejtoria kundër Terrorizmit e Policisë të cilët më 7 tetor stisën blerjen e këtyre armëve nga të dyshuarit, krahas hetimeve tjera që ishin bërë.
Policia i mori armët mbrapa duke i sekuestruar ato pasi i arrestoi të dyshuarit këtë të diele, herët në mëngjes. Pas më shumë se dy ditësh kur u prangosën të njëjtit dolën para gjyqtarit, i cili e miratoi kërkesën e prokurorisë për t’i shpuar të dyshuarit në paraburgim prej 30 ditësh.
Të dyshuarit për terrorizëm u larguan nga gjykata pa i parë as familjarët e ngushtë.
E babai i E.S nga Klina, Fazli Syla, thotë se asnjëherë nuk ka vërejtur tendencë për të kryer akte të tilla nga i biri.
Brenda seancës, sipas avokatëve, prokuroria nuk arriti të ofrojë aspak argumente.
Mbrojtësi i të dyshuarit A.Gj, Armend Kelmendi vlerëson se krejt kjo është propagandë mediatike e prokurorisë të cilët nuk kanë specifikuar as si bashkëvepruan 5 të dyshuarit.
Të dyshuarit që u arrestuan për përgatitje të akteve terroriste e vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë nuk dihet se në ç’vend planifikonin të sulmonin. Prokuroria Speciale ka specifikuar Kosovën në tërësi si cak. Shumica e të arrestuarve ishin prangosur edhe më herët, po për terrorizëm por ishin liruar dikush në shkallë të parë e dikush në të dytën.
Klani merr vesh se disa nga të dyshuarit kanë lidhje me persona tjerë të cilët veçse po vuajnë burg për terrorizëm.