Lidhur me nivelet e uraniumit dhe plumbit të gjetura në urinën e adoleshentëve që pinë
Opozita kërkon rishqyrtimin e masave anti-Covid të vendosura nga qeveria
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur seancën e jashtëzakonshme për debatin parlamentar për gjendjen e pandemisë.
Deputetët opozitarë janë shprehur të shqetësuar për situatën me pandemi dhe numrin e lartë të infektimeve, megjithatë ata nuk janë dakort me disa nga masat anti-Covid të marra nga qeveria.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i shqetësuar për numrin e të infektuarve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
“Vetëm dje patëm 4 mijë 379 raste pozitive me virusin. Më 26 dhjetor kishim 12 mijë raste dhe për një muaj patëm rritje enorme për 36 mijë përqind. Kjo nënkupton që vendi ynë është përfshirë në valë të re të pandemisë, kjo është shqetësuese. Por shqetësim nuk po duket që ka për Qeverinë”.
“Askush nuk mund ta mohoj përpjekjen e punëtorëve shëndetësorë për ta kufizuar dëmin e pandemisë mbi shëndetin e qytetarëve, por qytetari ka rrugëtuar krejtësisht i vetëm përball kësaj pandemie. Ju keni bërë dy gabime themelore, ose keni hezituar për ta lexuar situatën ose e keni lexuar gabimisht. Kur hezitoni, nuk veproni në kohë, kur lexoni gabim, veproni në mënyrë kuturu. Çka ndodhi me masat, çfarë efekti dhanë masat?.Po shihet qartë efekti, është regresiv. Janë vendosur barriera lloj lloj për të pavaksinuarit, por atyre u janë nënshtruar edhe të vaksinuarit. Çfarë stimulon kjo? Nëse u themi qytetarëve vaksinohnu për ta mbrojtur shëndetin e në fund nuk i bën të dallueshëm prej të pavaksinuarve, atëherë stimulon mosvaksinimin”.
Krasniqi mes tjerash tha se ora policore është e panevojshme dhe e palogjikshme.
“Vendosja e masave për të hyrë në Kosovë me tri doza të vaksinës, në kohën kur në Kosovë vetëm 4 përqind e kanë marrë dozën e tretë, ju po i penalizoni shqiptarët. Kjo dëshmon një gjë, Qeveria jonë masat i ka ndërmarr nga impulsi i improvizimit”, tha Krasniqi.
Deputeti tjetër nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga Qeveria të rishqyrtojë masat antiCOVID, pasi sipas tij, nuk kanë asnjë efekt.
“Qeveria për të dytën herë e ka përsëritur gabimin e njëjtë në keqmenaxhimin me pandeminë. As pas dy vjetësh, Qeveria nuk arrin të dallojë variantet e COVID-19 dhe sillet me neglizhencë dhe papërgjegjësi”.
“Për betejën tonë me virusin që po prek të gjithë qytetarët e Kosovës, që nga fillimi kemi qenë të gatshëm të mbështesim Qeverinë, por I ka injoruar ato. Kanë vendosur masa alogjike. Vendimi që në pikat kufritare të kërkohën tri doza të vaksinës është alogjik. Me këtë vendim keni izoluar dhe bllouar 99 përqind të qytetarëve. Me dy doza dhe test PCR, cila është logjika? Mbyllja e fitneseve dhe hapësirave të tjera sportive kur beteja jonë është në promovim të shëndetit. S’ka argument që fitneset janë vatrat e infektimit, me urgjencë duhet t’i rishqyrtoni masat”, tha Haxhiu.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë obligative vaksinimin kundër COVID-19. Tutje ai theksoi se pandemia nuk luftohet me orë policore, por me masa disiplinore.
“Shumica e rasteve janë 19 vjeçarë. Pra masat që duhet të ndermirën do të jenë nga kapacitete të vendit. Nuk pritet që të kemi përmirësim. Testoni sa më shumë dhe vaksinoni sa më shumë. Vetëm këto dy javë janë sëmurë një numër i konsiderueshëm i mjekëve në kohën kur na nevojitet do të rrezikohemi të mbesim pa mjekë. Ministër rrisni kapacitet me shtretër. Mjeket janë heronjtë. Mundësoni të jenë vetvetja dhe të përkushtuar”, ka thënë Dreshaj.
Ai ka thënë se vaksinimi masiv ndihmon që të dalim nga situata e pandemisë, andaj sipas tij, vaksinimi duhet të bëhet obligativ sidomos për institucionet publike.
“Vaksinimi masiv është dalja nga situata. Numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve vetëm prej disa mijëra dozave është vërtetë brengosëse kur e dimë që kapacitetet i kemi mbi 20 mijë doza vaksinë për 24 orë. Ju rekomandojë që vaksimin ta bëni obligativ, në veçanti për institucionet publike, gjë që e kanë bërë shumë vende të Bashkësisë Evropiane dhe shumë vende të rajonit tonë, nga sot edhe Shqipëria”, ka deklaruar ai.
Dreshaj ka thënë se ditëve të fundit një numër i madh i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën Infektive janë infektuar me virus, shkruan EO. Andaj ai ka thënë se në kohën kur më së shumti do të kemi nevojë për stafin mjekësor, do të jemi në mungesë të tij.
Tutje, Dreshaj ka paralajmëruar edhe rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar në ditët e ardhshme.
“Dihet sëmundja ndërlikohet rrallë para ditës së pestë, zakonisht nga dita e shtatë deri ditën e dhjetë, prandaj numri i rasteve të hospitalizuara pritet të rritet në katër pesë ditët e ardhshme e me to fatkeqësishtë edhe rastet që do të kenë ecuri të pafavorshme. Po thuhet që shumica e rasteve janë nën moshën 19-vjeçare, është e pritshme. Kjo grupmoshë është grupmosha më aktive që ka vendi dhe njëkohësisht nuk ka një shkallë të lartë të vaksinimit. E njëjta vlenë edhe për grupmoshën deri në 12-vjeç, këta as që i kemi pasur në program për t’i vaksinuar”, ka deklaruar ai.
Dreshaj ka thënë se sëmundja parandalohet me respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve, e jo me orë policore e shkurtimin e orarit të pandemisë.
“Sëmundja parandalohet me respektimin e masave standarte parandaluese, me respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve. Nëse këto nuk respektohen nga popullata, atëherë të kota janë masat shtrënguese kufizuese si ora policore dhe shkurtimi i orarit të gastronomisë”, ka shtuar ai.