Atalanta kërkon 60 milionë euro për holandezin, “trembet” Liverpooli
Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Emmanuel Macron fiton zgjedhjet presidenciale në Francë: I pari në 20 vite që fiton mandat të dytë
Kreu i Francës ka fituar në zgjedhjet presidenciale përballë Le Pen duke u bërë kështu presidenti i parë në 20 vite që fiton një mandat të dytë.
Fjalimin e tij të fitores, Macron e nisi duke falënderuar mbështetësit e tij dhe popullin francez dhe thotë se është i vetëdijshëm që shumë e votuan për të bllokuar të djathtën ekstreme.
Macron u shpreh se nuk e dinte se kush kishte abstenuar apo votuar kundërshtaren e tij Le Pen, por i siguroi atyre se përgjegjësia e tij më e madhe do të jetë që të zgjidhë shqetësimet e tyre. Gjatë fjalimit të tij ai u shpreh se do të punojë fort për një shoqëri të barabartë mes burrave dhe grave.
“Faleminderit! Shumica prej jush kanë zgjedhur të më besojnë mua. Që tani e tutje, unë nuk jam më kandidat i një kampi, por president i të gjithëve. Unë do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave. Duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është kaq i ndarë, askush nuk do të lihet anash. Lufta e Ukrainës tregon se ne po jetojmë kohë tragjike.”
Sekretarët amerikanë të shtetit, Blinken dhe Austin drejt Ukrainës për të takuar Zelensky në një takim të paparashikuar
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kanë udhëtuar drejt Kievit për të takuar presidentin ukrainas dhe zyrtarë të tjerë. Kjo është ardhja e parë e zyrtarëve më të lartë amerikanë që kanë udhëtuar drejt Ukrainës që prej fillimit të sulmit rus atje.
Thuhet se takimi zgjati për rreth 90 minuta dhe mesazhi prej SHBA-ve ishte i qartë: solidaritet dhe paqe për Ukrainën! Ndër të tjera, zyrtarët amerikanë duket se e kanë bërë të qartë se ushtria e tyre nuk do të përfshihet në mënyrë të drejtëpërdrejtë në luftë.
Lloji i pazbuluar më parë i hepatitit: OBSH konfirmon vdekjen e një fëmije, aktivë dhe 169 raste të tjera
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se të paktën një vdekje është raportuar në lidhje me një shpërthim misterioz të sëmundjes së mëlçisë që ka prekur fëmijët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Të paktën 169 raste të tjera janë aktive me “hepatit të rëndë me origjinë të panjohur”.
Rastet janë raportuar te fëmijët e moshave nga një deri në 16-vjeç dhe 17 prej të sëmurëve u është dashur të kryejnë transplant të mëlçisë. OBSH nuk ka treguar se në cilin shtet është regjistruar vdekja.
Rastet e para janë raportuar në Britani të Madhe, ku deri më tani janë raportuar rreth 114 raste fëmijësh të sëmurë.
Ekspertët kanë thënë se rastet mund të jenë të lidhur me ndonjë virus që shpesh lidhet me ftohjet, por ende dihet farë pak për llojin e pazakontë të sëmundjes. Ndonëse rastet e lehta pediatrike nuk janë të padëgjuara, hepatiti i rëndë te fëmijët e shëndoshë është diçka e rrallë.
Papa Françesku thirrje liderëve për ndalimin e sulmeve në Ukrainë.
Gjatë ditës së diel të Pashkëve Ortodokse, para mijëra besimtarëve, Papa Françesku u bëri thirrje liderve të lënë armët dhe të përdorin më shumë fuqinë e fjalës.
”Sot bëhen dy muaj nga fillimi i kësaj lufte. Në vend që të ndalet, ajo është bërë më e ashpër. Është e trishtueshme që në këto ditë, që janë më të shenjtat për të gjithë të krishterët, më shumë dëgjohet zhurma vdekjeprurëse e armëve sesa zhurma e kambanave që lajmërojnë ringjalljen. Dhe është e trishtueshme që armët po zënë vendin e fjalëve. Bëj sërish apel për një armëpushim të Pashkëve. U kërkoj të gjithëve që të luteni për paqen”,- u shpreh ai nga sheshi “Shën Pjetër” në Vatikan.
Kreu i Vatikanit u kërkoi deri në lutje politikanëve të dëgjojnë zërin e njerëzve që duan paqe.
Burimi:BBC, CNN
Source link