Duhat ta shihni: Qielli dhuron spektakël në fundjavë/ Nga “hëna e zezë”, të “puthja” e Afërditës me Jupiterin
Këtë fundjave qielli do dhurojë spektakël, dhe adhuruesit e yjeve do duhet t’i mbajnë sytë lart. Hëna e dytë e re e Prillit, e quajtur ‘Hëna e zezë’, do të shihet të shtunën, më 30 prill, 22:22 me orën shqiptare. Sipas NASA-s, Hëna e re do të përkojë me një eklips të pjesshëm diellor, i cili mund të shihet nga njerëzit në Antarktidë dhe pjesë të Amerikës së Jugut.
Eklipsi i pjesshëm diellor nuk do të jetë i dukshëm nga Britania e Madhe apo SHBA, megjithëse mund të shihet përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në internet. Gjithashtu të shtunën, Afërdita dhe Jupiteri, dy planetët më të ndritshëm në qiell, do të afrohen aq shumë saqë do të duken se gati mund të përplasen, ose do të duken sikur po “puthen”.
Edhe pse nuk është një term i pranuar astronomik, “Hëna e zezë” i referohet një Hëne të re të dytë që shfaqet brenda një muaji. Mund t’i referohet gjithashtu mungesës së një hëne të re në një muaj, ose Hënës së tretë të re në një sezon astronomik me katër hëna të reja.
Një Hënë e tretë e re në një sezon me katër Hëna të reja është një ngjarje mjaft e rrallë; ndodh rreth çdo 33 muaj, afërsisht çdo dy vjet e gjysmë.
Termi “Hënë e zezë” është në kontrast me “Hënën blu”, e cila është hëna e dytë e plotë në një muaj kalendarik.