Fituesi i “Eurovisionit” shkon në shtëpi për t’iu bashkuar ushtrisë ukrainase
Frontmeni i Orkestrës Kalush, i cili fitoi mbrëmë konkursin e këngës në “Eurovision”, ka puthur në shenjë lamtumire të dashurën e tij për t’iu bashkuar vijës së parë në luftën e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë.
Oleg Psiuk, drejtuesi i grupit popullor rap, u fotografua duke përqafuar të dashurën e tij Oleksandra jashtë hotelit të tij në Torino sot, ndërsa ai u largua për të mbrojtur Ukrainën nga presidenti Vladimir Putin, shkruan Daily Mail.
I veshur me kapelën e tij rozë dhe me një çantë shpine, gjërat e Psiuk u vendosën në një taksi gati për t’u nisur për në aeroport.
Mbrëmë, presidenti Zelensky u zotua të mbajë “Eurovisionin” në Mariupol vitin e ardhshëm, pasi një mbështetje e madhe nga publiku evropian e shtyu Ukrainën drejt fitores.
Vendi i shkatërruar nga lufta përfundoi me 631 pikë, ndërsa Britania e Madhe përfundoi e dyta me 466 pikë. Spanja përfundoi e treta me 459, ndërsa Suedia e katërta me 438.
Volodymyr Zelensky shpejtoi për të përshëndetur fitoren – dhe madje u zotua të zhvillojë konkursin e vitit të ardhshëm në Mariupol, pavarësisht se qyteti ishte i rrethuar nga forcat ruse.
Ai tha: “Guximi ynë i bën përshtypje botës, muzika jonë pushton Evropën. Vitin e ardhshëm Ukraina do të presë ‘Eurovisionin’. Për herë të tretë në historinë e saj dhe, besoj, jo e fundit. Ne do të bëjmë çmos që një ditë të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e ‘Eurovisionit’ në Mariupol të Ukrainës. E lirë, paqësore, e rindërtuar. Falënderoj Orkestrën Kalush për këtë fitore dhe të gjithë ata që na dhanë votat tuaja. Jam i sigurt se tingulli i fitores në betejën me armikun nuk është i largët. Lavdi Ukrainës”, ka thënë ai.
Britania, një aleate e vendosur e Ukrainës së Zelenskit gjatë pushtimit rus, pothuajse arriti një fitore shokuese pasi kryesoi për pjesën më të madhe të natës, përpara se të mposhtej në fund.
Në të kundërt, Gjermania dhe Franca, liderët e të cilëve janë kritikuar se nuk janë mjaft të ashpër ndaj agresionit të Rusisë, ishin dy vendet e fundit të vendosura në garën e këtij viti.
Duke folur për fitoren e grupit përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, këngëtari Psiuk tha: “Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë që votuan për Ukrainën – kjo fitore do të thotë shumë për ne. Kjo fitore do të ngrejë shpirtrat dhe do të çojë në më shumë fitore në të gjitha frontet. Kultura jonë është nën sulm. Ne donim t’i prezantonim botës muzikën tonë mbrëmë. E shkrova këngën e ‘Eurovisionit’ për nënën time para luftës – por më pas, ajo filloi të merrte një kuptim tjetër për njerëz të ndryshëm. Po kthehem në shtëpi pasi drejtoj një organizatë vullnetare që ndihmon refugjatët me ushqim, strehim dhe mjekim. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë. Ne do të presim ‘Eurovisionin’ në një Ukrainë të sapondërtuar dhe të lumtur”, ka thënë ai.