Kurti po kthehet nga SHBA-ja, por nuk vjen në Kosovë, ndalet në një shtet tjetër
Para se të kthehet nga SHBA në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, do të ndalet në Zvicër.
Ai pritet të marrë pjesë në “Forumin Ekonomik Botëror”, i cili do të mbahet nga 22 maji deri më 26 maj.
Zyra e kryeministrit të Kosovës nuk ka njoftuar për këtë pjesmarrje të kreut të ekzekutivit kosovar, por është gazeta zvicerane “Blick”, ajo që ka publikuar lajmin.
Gazeta shkruan se Kurti do të takohet me zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, i cili përveç udhëheqësit kosovar do të mirëpresë edhe udhëheqës të vendeve të tjera.
Presidenti i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka parashikuar rreth 30 takime, përfshirë edhe me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Po ashtu, Viola Amherd, e cila udhëheq Departamentin Federal të Mbrojtjes së Zvicrës, do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Deklarimet e këtij të fundit për çështjen e Ukrainës do të jenë shumë të mirëpritura, mirëpo, sipas njoftimit, ai do të flasë edhe për çështjen e Ballkanit Perëndimor.