Saturday, June 25, 2022

Alarm i rremë për bombë në Rektoratin e UP-së

Policia e Kosovës bëri të ditur se pas kontrolleve të kryera në hapësirën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, alarmi për mjete shpërthyese ka rezultuar të jetë i rremë.

Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se rreth orës 12:00 kanë pranuar informatën se dyshohet për shpërthime të mundshme në Rektoratin e UP-së.

“Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, thanë nga Policia e Kosovës.

Kjo është hera e dytë që Rektorati, përmes postës elektronike, kërcënohet për shpërthime.

Më 17 maj, policia tha se alarmi për bombë në Rektorat kishte qenë i rremë. Ndërkaq, më 18 maj, kërcënime të ngjashme, që dolën të rreme, ishin bërë edhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Së fundmi, përveç në Kosovë, edhe në Serbi, Mal të Zi janë raportuar kërcënime të rreme për bomba në shkolla, konvikte, qendra tregtare, spitale etj.

- Advertisment -

Lexoni