Një lugë vaj ulliri në ditë mund të ulë rrezikun e vdekjes nga demenca me
Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Rreth 320 të vdekur në sulmin me armë në Etiopi, sugjerojnë dëshmitarët
Numri i dyshuar i vdekjeve në një sulm nga persona të armatosur në rajonin perëndimor të Oromisë në Etiopi është rritur. Dëshmitë e reja të dëshmitarëve sugjerojnë se midis 260 dhe 320 civilë u vranë të shtunën.
Kryeministri i vendit, Abiy Ahmed, ka dënuar ato që ai i përshkroi si “akte të tmerrshme” në Oromia, por nuk ka dhënë asnjë detaj për dhunën.
Oromia, shtëpia e grupit etnik më të madh të Etiopisë, Oromos, si dhe njerëzve nga komunitetet e tjera, ka përjetuar trazira për shumë vite. Abiy është një Oromo, i pari që është në krye të qeverisë së Etiopisë, por disa Oromo besojnë se ai ka tradhtuar interesat e komunitetit.
Etiopia po përjeton tensione të përhapura etnike në disa rajone, shumica e tyre për probleme historike dhe tensione politike. Populli Amhara, grupi i dytë etnik më i madh në mesin e më shumë se 110 milionë njerëzve në Etiopi, janë shënjestruar shpesh në rajone si Oromia.
Gjeorgji: Dhjetëra mijëra protestojnë në Tbilisi për të kërkuar anëtarësimin në BE
Foto: VANO SHLAMOV / AFP
Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, të hënën për të kërkuar anëtarësimin në BE. Duke valëvitur flamujt europianë dhe gjeorgjianë, rreth 60,000 demonstrues u mblodhën përpara parlamentit të Gjeorgjisë.
“Europa është një zgjedhje dhe aspiratë historike për gjeorgjianët, për të cilën të gjitha brezat kanë bërë sakrifica”, thanë organizatorët në deklaratë. “Liria, paqja, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe drejtësia janë vlera që na bashkojnë të gjithëve dhe do të garantohen me integrimin në Bashkimin Europian”, shtuan ata.
Marshimi kishte për qëllim që t’i dërgonte një sinjal Brukselit, pasi krerët e BE-së do të diskutojnë këtë javë nëse do t’i japin statusin zyrtar si vend kandidat Gjeorgjisë, si dhe Ukrainës dhe Moldavisë.
Refugjatët: OKB-ja thotë se ndryshimi i klimës dhe lufta në Ukrainë kanë rritur shifrat
Agjencia e OKB-së për refugjatët organizoi një konferencë në Romë të hënën ku theksoi se ndryshimet klimatike dhe lufta në Ukrainë, janë ndër faktorët që nxisin një rritje të zhvendosjes së njerëzve në mbarë botën.
Zëdhënësja e UNHCR-së Carlotta Sami tha se 100 milionë njerëz janë zhvendosur aktualisht si pjesë e një krize refugjatësh që prek çdo kontinent. Thatësirat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë, kanë kërcënuar sigurinë ushqimore në mbarë botën.
Lituani ndalon tranzitin e mallrave drejt Rusisë; kërcënon Moska
Lituania ka ndaluar transitin e disa mallrave përmes territorit të saj nga Rusia në enklavën e Kaliningradit (enklavë – një pjesë e territorit të një shteti e rrethuar plotësisht nga territori i një shteti tjetër).
Ndalimi përfshin qymyrin, metalet, materialet e ndërtimit dhe teknologjinë e avancuar, që përbëjnë rreth 50% të të gjitha mallrave që importon Kaliningrad. Moska tha se masa ishte “e paprecedentë” dhe “e paligjshme” dhe kërcënoi se do të përgjigjej.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se vendi i tij thjesht po zbatonte sanksionet e vendosura nga BE-ja.
Medalja e Çmimit Nobel për Paqen shitet për 103.5 milionë dollarë për të ndihmuar fëmijët e Ukrainës
Foto: AP Photo/Eduardo Munoz Alvarez
Çmimi Nobel i Paqes i nxjerrë në ankand nga gazetari rus Dmitry Muratov për të mbledhur para për fëmijët refugjatë ukrainas u shit në New York të hënën mbrëma për 103.5 milionë dollarë duke thyer rekordin e vjetër për një Nobel.
“Unë shpresoja se do të kishte shumë solidaritet, por nuk prisja që kjo të ishte një sasi kaq e madhe,” tha Muratov në një intervistë.
Muratov, i cili u nderua me medaljen e artë në tetor 2021, ndihmoi në themelimin e gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta dhe ishte kryeredaktori i saj kur u mbyll në mars pas kërcënimeve të Kremlinit.
Source link