24% e ndotjes plastike të gjurmueshme e lidhur me vetëm 5 korporata: ScienceAlert
Varroset 7-vjeçarja e vrarë në Himarë/ Fjalët e babait: Ishim dorë për dorë… të kisha ikur unë dhe jo Jonada
Është përcjellë për në banesën e fundit 7-vjeçarja, e cila dje humbi jetën nga skafi teksa ishte duke pushuar me familjarët në Himarë.
Në një video të siguruar nga Gazeta Shqip shihet se si kortezhi me familjarët e pikëlluar nga ngjarja e rëndë janë duke përcjellë të miturën për në banesën e fundit.
Kujtojmë se familja Avdiaj ishte kthyer nga Anglia për të bërë pushimet e verës në atdhe teksa kanë pësuar një humbje të madhe të parikuperueshme.
Vajza e mitur u vra nga një efektiv policie teksa ishte duke bërë manorvra të rrezikshme në bregun e detit.
Familjarët shprehin dhimbjen për humbjen e Jonadës, ndërsa ngrenë shqetësimin se për sa kohë, siguria mungon, raste të tilla mund të përsëriten.
“Nuk gjejmë fjalë. Na humbi fëmija. Inshalla nuk e kanë fatin e tij të tjerët. Çfarë të themi? Nuk ka shtet”.
“Nuk ka dhimbje më të madhe, me nënën dhe babanë erdhi nga Anglia dhe të vijë ai i tërbuari…”
“Të përballesh me një qytetar është ndryshe, por me një njeri që punon në polici… kjo është e tmerrshme. Isha mbrëmë aty, nuk kishte më tmerr. Lutem për atë nënë… është e tmerrshme”.
Vrasja e Jonadës nga një polic që shkeli rregullat duket lundruar shumë pranë bregut ka tronditur opinionin publik.
Me moton “Nuk e vrau varka, por shteti”, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë bërë thirrje për t’u bashkuar këtë të enjte në orën 19:00 jashtë Ministrisë së Brendshme.
Pedagogu Bislim Ahmetaj ka treguar përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social, bisedën që ka patur me babain e 7 vjeçares së ndjerë.
Babai i Jonadës mundohet ta mbajë veten, por shpirti po i del nga kraharori.
“Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua…. Vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada’, janë fjalët që ka thënë babai i të ndjerës në bisedë me Ahmetajn.
Po sjellim të plotë, postimin e Ahmetajt në rrjetin social.
“Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës.
Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen tragjike që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që vret fëmijë.
Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort , mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.
Pak metra me tej në një kafe presin burrat. Aty s’ka gjamë, as vaj, veç sy të mbytur nga lotët dhe gulshe dhimbje. Shumë pak fjalë: Zoti ju forcoftë, Zoti ju dhashtë forcë dhe durim, shtrëngoni burra, Zoti e pastë marrë afër vetës e të tjera fjalë ngushëlluese të kësaj natyre.
Dhe përgjigjet e rëmta nga familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim…
Bledari i jati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua.
Ta mori krimineli me uniformë, por s’ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë.
Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij.
E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm.
Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është tragjedia jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet.”