Mali i Zi: Humbje të ndjeshme për partinë qeverisëse
Pas zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi, duket se rezultati është shumë i ngushtë dhe formimi i qeverisë do të jetë shumë i vështirë.
Sipas rezultateve të pjesshme, zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi kanë përfunduar me humbje të ndjeshme për Partinë Demokratike të Socialistëve, DPS të presidentit afagjatë, Milo Gjukanoviç. Sipas të dhënave të institutit të opinionit, në Podgoricë, Cemi, partia properëndimore, DPS me 35% të votave dhe 29-30 mandate mbetet partia më e fuqishme. Por aleanca opozitare rreth Frontit Demokratik prorus me 33% të votave dhe 28% të mandateve mbetet shumë pranë partisë DPS: Prognoza mbështetet në rezultatin e numërimit të 89% të votave.
Partia DPS bashkë me partnerët potencialë, dy parti të vogla socialdemokratike dhe partitë shqiptare dhe boshnjake të pakicave mundet në rastin më të mirë të arrijë 40 vende në parlamentin e vendit të vogël
Gjukanoviç: Lufta për shumicën vazhdon
Gjukanoviçi 58 vjeçar vetë nuk heq dorë nga pretendimi i udhëheqjes. Para përkrahësve në Prodgoricë ai tha. “Ne kemi tani së bashku me partnerët tanë tradicionalë 40 mandate”. Por ai pranoi se “lufta për shumicën në parlament vazhdon”.
Gjukanoviç është në krye të shtetit malazez në funksione të ndryshme që prej 30 vjetësh. Kritikët e akuzojnë atë për korrupsion, kufizimin e mediave të pavarura dhe manipulime zgjedhore. Në kohën e qeverisjes së tij nuk ka pasur asnjëherë ndërrim pushteti. Para katër vjetësh, partia DPS ka arritur 41% të votave dhe zuri 36 nga 81 vende në parlament. Sipas të dhënave të institutit, Cemi, DPS kësaj herë edhe së bashku me partnerët e vegjël nuk do të arrijë shumicën absolute parlamentare. Krijimi i koaliconit pritet të jetë i vështirë.