Mesfushori italian i ofrohet Barcelonës, por e duan vetëm 6% e tifozëve
Kastrati publikon pamje se si u rrënuan kazinot në Karaçevë
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mbrëmë ka zhvilluar një operacion të madh në Karaçevë të Kamenicës. Përveç 33 personave të arrestuar, në mesin e tyre edhe 10 policë, atje janë rrënuar edhe objektet ku është ushtruar ilegalisht aktiviteti i kazinove.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati ka publikuar pamje se si po rrënohen kazinot në këtë pjesë.
“Ora 03:00 e mesnatës. Komuna, në bashkërendim me institucionet e sigurisë, po vazhdon me rrënimin e të gjitha objekteve që kanë qenë të destinuara si kazino”, ka shkruar Kastrati.
Ky operacion që vlerësohet të jetë më i madhi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, vjen pas një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria e Gjilanit, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme në atë pjesë.
Sipas Prokurorisë së Gjilanit, aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale.
E për këto dyshime, pas prangave janë vënë 33 persona, prej të cilëve 10 janë zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.
“Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale”, ka njoftuar Prokuroria.
Aksionin e Policisë e kanë përcjellë nga afër edhe Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj dhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
E se një aksion i tillë do të ndodhte e kishte paralajmëruar në seancën e djeshme vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Veliu ishte thirrur dje në interpelancë në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Gjatë fjalës së tij, ai kishte treguar se si në kohën sa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti, kishte kërkuar që të kryenin një operacion për mbylljen e kazinove në atë pjesë, por siç thotë, Kurti nuk i kishte dhënë leje.