Kurti: Katër orvatjet e Thaçit për rrëzimin e Republikës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po bën përpjekje të vazhdueshme që dëmtojnë shtetin.
“Nga vizita në Uashington D.C. u kthye duarthatë. Qëndroi atje mbi një javë, nga 23 shkurti deri më 2 mars 2020, takoi Vuçiqin e Serbisë, u soll e pështoll korridoreve pa arritur të ndodhet në të njëjtin kuadër filmik me Presidentin Trump ose Zëvendës Presidentin Pence. Unë nuk ju bashkova në lidhjen e shkurtër që ka me Vuçiqin për ujdi me thika mbi hartën e Kosovës”, ka shkruar Kurti në facebook.
Sipas tij, kështu Thaçi mbeti pa marrëveshjen ‘historike’ me Serbinë.
Më tutje, Kurti ka veçuar përpjekjen e Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.
“Ia shpjegova që nuk janë krijuar kushtet për gjendje të jashtëzakonshme në vendin tonë. Situata është nën kontroll. Më 17 mars mbajtëm mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës në kohën kur nuk kishim asnjë të vdekur nga virusi Corona dhe vetëm 19 të infektuar. Edhe aty dështoi që ta fitojë diskutimin për nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, thekson Kurti.
Sipas tij, Qeveria dhe mekanizmat shtetërorë po funksiononin të sinkronizuar si rrallë herë më parë me një përjashtim prej ministri (Agim Veliu).
Përpjekja tjetër e dëmshme, sipas Kurtit ishte mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së tij, i votuar suksesshëm më 25 mars.
“E votuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë ndërkohë që nuk donin zgjedhje të reja! Meqë humbën te populli donin të fitonin në tavolinë. Të anashkalonin edhe fituesin e zgjedhjeve edhe më të votuarën e LDK-së (Vjosa Osmanin)”, ka shkruar ai.
Së fundit, Kurti ka përmendur edhe orvatjen, sipas tij të katërt të Thaçit, që ishte sunuar të realizohet përmes dekretimit të Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.
“Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e Presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit! Teksa diskutimi që duhet të bëjmë është për datën më të përshtatshme për zgjedhje”, thekson Kurti.
Edhe orvatja e katërt, ka nënvizuar Kurti, do t’i dështojë.