Mesfushori italian i ofrohet Barcelonës, por e duan vetëm 6% e tifozëve
VIDEO/ Sulmohet me raketa Ambasada e SHBA-së në Irak
Të paktën katër raketa shenjëstruan Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Zonën e Gjelbër të fortifikuar rëndë të Bagdadit, duke plagosur dy civilë.
Tre nga raketat goditën brenda perimetrit të Ambasadës së SHBA të enjten, thanë zyrtarët. Një tjetër goditi një shkollë të vendosur në një kompleks banimi aty pranë, duke plagosur një grua dhe një vajzë.
Shkolla ishte në kompleksin rezidencial al-Kadisiyah pranë objektit diplomatik. Nuk ka pasur përgjegjësi të menjëhershme për sulmin. Një deklaratë e ushtrisë irakiane tha se raketat ishin lëshuar nga lagjja Dora e Bagdadit.
Ambasada e SHBA-së në Bagdad tha se kompleksi i saj ishte sulmuar nga “grupe terroriste që përpiqen të minojnë sigurinë, sovranitetin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Irakut”. Sistemi i mbrojtjes C-RAM i ambasadës, që supozohet të zbulojë dhe shkatërrojë raketa, artileri dhe predha mortajash në hyrje u dëgjua gjatë sulmit.
Zona e Gjelbër pret shumicën e misioneve diplomatike të huaja, duke përfshirë Ambasadën e SHBA dhe shtëpinë e Kryeministrit të vendit. Zona ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve me raketa që nga vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani dhe komandantit të milicisë irakiane Abu Mahdi al-Muhandis në një sulm me dron amerikan në janar 2020.
Të enjten e kaluar, një seri sulmesh synuan trupat amerikane në Irak dhe Siri. Raketat goditën një bazë ushtarake irakiane që pret trupat amerikane në provincën perëndimore Anbar dhe në kryeqytet. Uashingtoni fajëson grupet e armatosura shiite të mbështetura nga Irani për sulmet me raketa ndaj misioneve të huaja diplomatike, SHBA dhe trupave të huaja në Irak.
Grupet e armatosura janë zotuar të hakmerren për vrasjen e Soleimanit dhe kanë kushtëzuar përfundimin e sulmeve me tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga vendi.