Hoti e Vuçiq të dielen videokonferencë, të enjten takim në Bruksel
Takimi i 12 korrikut, mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Vojisllav Vuçiq, pritet të mbahet në formën online. Kurse takimi sy më sy, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është paraparë të ndodhë më 16 korrik.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk ka qenë i gatshëm të shkojë në Bruksel të dielen, më 12 korrik, për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mëson KOHA nga burimet diplomatike.
Kjo ka qenë arsyeja kryesore e shtyrjes së takimit për të enjten, më 16 korrik.
Megjithatë, të dielen pritet të mbahet një video-konferencë, kësaj radhe e organizuar nga Bashkimi Evropian.
Takimin Hoti-Vuçiq në Bruksel më 16 korrik e ka konfirmuar edhe zyra e presidentit të Francës.
“Presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës, pas videokonferencës me Emmanuel Macronin dhe Angela Merkelin të premten, për ta vazhduar dialogun rreth dallimeve të tyre, do ta mbajnë edhe një bisedë nga distanca, para takimit të drejtpërdrejtë të enjten në Bruksel”, shkruhet në njoftimin e saj.