Kurti: Hekurudha e re do t’i lidhë Prishtinën me Durrësin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se në mbledhjen e 87-të të Qeverisë kanë miratuar dy marrëveshje.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se me hapa të sigurt po ecin drejt realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës – Prishtinë.
Sipas tij, me ratifikim në Kuvend do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, që hekurudha të realizohet.
“Mbrëmë në mbledhjen e 87-të të Qeverisë, miratuam vendime për dy marrëveshje, dy projekte madhore zhvillimore. Për njërën do të kërkohet ratifikimi në Kuvendin e Republikës, për tjetrën autorizimi i Presidentes për nënshkrimin e të njëjtës. Pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive Kosovë-Shqipëri, me hapa të sigurtë po ecim drejt realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë. Me ratifikim në Kuvend, do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, ashtu që hekurudha të realizohet”, ka shkruar Kurti.
“Ndërkaq, pas negociatave të suksesshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), do të kërkohet autorizimi nga Presidentja, për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë”, shtoi ai