Prej sot, testet serologjike edhe tek privatët
Duke nisur nga kjo javë, në Kosovë disa institucione shëndetësore private, të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë do të fillojnë të kryejnë teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi.
Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur coronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, ka bërë të ditur më 7 gusht se nga 123 aplikacione të institucioneve shëndetësore, kanë shqyrtuar 37 prej tyre dhe kanë licencuar 33 laboratorë të testime për COVID-19 – 31 institucione ofrojnë shërbime për teste serologjike dhe vetëm 2 laboratorë, do të ofrojnë testime PCR.
Zemaj tha se nga kjo javë laboratorët privatë të licencuar, mund të fillojnë me testime për COVID-19.
Çmimi për një test të tillë, sipas njoftimeve fillestare do të shkojë nga 20 deri në 50 euro.