
Eurodeputetët i shkruajnë Merkelit: Liberalizoni vizat që Kosova të jetë më afër BE-së
Eurodeputetja Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, së bashku me një grup të euro parlamentarëve i kanë drejtuar një letër kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe ministrit të Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, përmes së cilës kanë kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës të përmbyllet përgjatë pjesës së dytë të vitit 2020. Kjo pasi që me presidencën e Bashkimit Evropian kryeson Gjermania, dhe kjo shihet si një mundësi e artë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.
Euro deputetët në letrën e tyre i kanë thënë kancelares gjermane, Merkel, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se tani është radha e Bashkimit Evropian që të mos thyej premtimin.

“Kjo është shansi juaj që të përmirësoni jetën e qytetarëve atje dhe të afroni Kosovën edhe më afër Bashkimit Evropian”, thuhet ndër të tjera në letër.
Një veprim të tillë të euro parlamentarëve e ka vlerësuar lartë, Demush Shasha, nga Instituti EPIK.
“Ky është shembulli se si duhet të bashkëpunojmë me miqtë e Kosovës sikur Eurodeputetja znj. Viola Von Cramon-Taubadel për të realizuar interesat e qytetarëve, e jo duke humbur kohë me mesazhet e kota nëpër tëitter që vetëm izolojnë Republikën e Kosovës edhe më tuje nga miqtë ndërkombëtar”, ka shkruar ai.
Shasha thotë se nëse nuk liberalizohen vizat gjatë presidencës gjermane, atëherë procesi do të futet në një rrugë qorre.
“Po e humbëm mundësinë e liberalizimit vizave edhe në gjashtë muaj të ardhshëm të Presidencës Gjermane, liberalizimi i vizave do hyn me një stad të pa parashikueshëm”, ka përfunduar Shasha.