“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan, çfarë realisht ngjau para 635 vjetësh?
Bieber: Gjermania i ka ftohur marrëdhëniet me Vuçiqin
Profesori i shkencave politike dhe eksperti për Ballkanin nga Universiteti në Grac të Austrisë, Florian Bieber ka thënë se marrëdhënia e Gjermanisë ndaj kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk është më aq e përzemërt, dhe se mbështetja e Vuçiqit për ndryshimin e kufijve dhe forcimi i pushtetit autoritar e kanë ftohur entuziazmin i cili ka ekzistuar ndaj tij.
“Derisa diplomatët dhe politikanët të cilët e përcjellin situatën në Serbi, vërejnë shtim të autoritarizmit, ende nuk ekziston vullnet i mjafueshëm që për këtë të flitet hapur”, ka thënë Bieber për numrin e sotëm të gazetës beogradase “Danas”, duke komentuar marrëdhënien e Bashkimit Evropian ndaj rezultateve të zgjedhjeve në Serbi.
Në pyetjen rreth Kosovës, ai ka thënë se “pas rezultateve të këtilla të zgjedhjeve, Vuçiqi së paku nuk mund të thotë se në terrenin vendor ka pengesa për arritjen e kompromisit, sidomos tash kur në parlament nuk ka hyrë Partia radikale serbe e së djathtës ekstreme”.
Duke folur për anulimin e takimit, i cili është dashur të mbahet me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ai ka thënë se i dërguari i presidentit amerikan për bisedimet e Beogradit e Prishtinës Richard Grenell “ka bashkëpunuar vetëm me (presidentin e Kosovës Hashim) Thaçin, madje edhe ka kontrbiuar për rënien e qeverisë Kurti”.
Ai ka shtuar se “me akuzën kundër Thaçit partneri i tij zhduket dhe do të nevojiten muaj që të ketë partner të qartë në Kosovë, i cili është mjaft i fortë dhe ka mandat për bisedime”.
“Pres që BE-ja ta marrë mbi vete dialogun, gjë që do t’i kontribuojë procesit sistematik”, ka vlerësuar Bieber.