Rezoluta për Srebrenicën, Vuçiç në alarm: Gjermania dhe SHBA po lobojnë fuqishëm për ta miratuar,
Nën hijen e mungesës së Thaçit, përfundon takimi Hoti – Vuçiq
Pas një pauze prej 20 muajve, Kosova dhe Serbia janë rikthyer në tavolinën e dialogut në Bruksel, në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
E veçanta e këtij takimi ishte se aty mungoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili po intervistohet në Hagë nga Prokuroria Speciale mbi bazën e një lënde që besohet se mbështetet në faktet e mbledhura pikërisht nga Serbia dhe organet e saj.
Për më gjatë se 20 vjetët e fundit, kjo është hera e parë që një proces negociator mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet pa Thaçin në krye.
“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezentu në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë.
“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, tha Hoti.
Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçic tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta. Ai theksoi se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë.
“Bisedimet do të vazhdojnë në nivelin teknik të mërkurën”, ka thënë Vuçiq, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.
“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.
Borrell theksoi se i vjen mirë që BE-ja e ka rikthyer rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lufta e BE-së për primatin në dialog ishte kundrejt SHBA-së e cila dështoi ta në ndërmjetësimin e dialogut pas publikimit të propozim aktakuzës ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Tani, Borrell dhe i dërguari i tij, Mirosllav Lajçak, janë kryesues të dialogut.
Para se të takoheshin sy më sy, Hoti e Vuçiq zhvilluan edhe një dialog virtual më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video – konference, por takimi i së enjtes paraqet bisedimet e para të drejtpërdrejta pas 20 muajsh.