Rusia tashmë e trajton Republikën Srpska të Bosnjës si një shtet të pavarur
Haga ndjek si hije liderët – Para një viti Haradinaj tani Thaçi
Dita e sotme nuk është një ditë e zakonshme për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Një vit më parë (19 korrik 2019), ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe këtë e bëri për të dëshmuar se veprimtaria e tij në Ushtrinë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe i ka shërbyer qëllimit kryesor, që ishte: çlirimi i Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.
Ish-kreu i ekzekutivit kosovar, këtë vendim e bëri publik vitin e shkuar gjatë një mbledhjeje të rregullt të qeverisë së Kosovës.
Arsyeja e dorëheqjes ishte sepse ai kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet dhe se ai do të paraqitet në Hagë për intervistim.
“Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multietnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij.
Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo ‘Dodik Republika’ janë të papranueshme”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së, Haradinaj pohoi se dorëheqja e tij ishte e parevokueshme dhe se për këtë vendim informoi edhe krerët më të lartë të shtetit.
Por, teksa ditët dhe vitet kalojnë, ish-drejtues dhe luftëtarë të UÇK-së vijojnë të merren në pyetje nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë në lidhje me veprimtarinë e tyre gjatë konfliktit të armatosur dhe luftës në Kosovë.
Këtë fat kishte edhe Presidenti i Republikës, Hashim, Thaçi, i cili qëndroi katër ditë në Hagë, ndërsa u pyet për veprimtarinë e tij si ish-drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas përfundimit të intervistës, Hashim Thaçi u shpreh se nëse prokurorët dhe gjykatësit do të analizojnë faktet në mënyrë të drejtë, do të dalin në përfundimin se lufta e UÇK-së dhe konkretisht veprimtaria e tij, ka qenë e pastër “si loti”.
Ndryshe nga Haradinaj i cili u paraqit në Hagë pa post shtetëror, Hashim Thaçi nuk zgjodhi të jepte dorëheqjen, por vijoi betejën me drejtësinë ndërkombëtare duke mbartur mbi vete edhe postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.