
Pas tubimeve masive për Bajram, Zemaj thotë se do të ashpërsohen masat
Duke parë numrin në rritje të rasteve dhe mosrespektimin e masave nga qytetarët, jemi të obliguar që t’i ashpërsojmë masat, ka thënë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj. Një paralajmërim të tillë, ai e ka ndërlidhur edhe me tubimet e shumta nëpër kafiteri e qendra tregtare të premtën në mbrëmje, Ditën e Kurban Bajramit. Në shumë ambiente është parë se masat e qeverisë nuk janë zbatuar aspak.
Ai ka arsyetur rritjen e numrit të personave të infektuar me faktin se Qeveria Hoti, për dallim nga Qeveria Kurti, është përpjekur të menaxhojë situatën përmes hapjes së ekonomisë.
“Kur e kam marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lehtësimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve me Covid-19. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin nga dikastere të ndryshme për hapje”, ka thënë Zemaj.
“Është krejt ndryshe të menaxhohet pandemia në mbyllje totale, e krejt tjetër kur ke ekonominë në hapje. Por, kemi qenë të vendosur që ta ruajmë shëndetin publik, por paralelisht edhe atë ekonomik e mental”, theksoi ai.
Por, pavarësisht masave që janë ndërmarrë ,në ditët e fundit, ka thënë Zemaj, kemi parë se ato masa nuk janë respektuar.
“Derisa Bashkësia Islame e Kosovës ka respektuar masat, për çfarë e falënderoj, në sektorin e gastronomisë dhe nga shumica e qytetarëve ato nuk u respektuan”, deklaroi ai.
“Mbrëmë, unë vetë isha dëshmitar në terren, por gjithashtu kam marrë mijëra mesazhe nga qytetarët e shqetësuar. Prandaj, nga sot në koordinim me Policinë, AVUK-in dhe Prokurorinë e Shtetit, konform legjislacionit, do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave!”, ka paralajmëruar ministri Zemaj.