“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan, çfarë realisht ngjau para 635 vjetësh?
“Ishulli Kanibal”, ku të internuarit ushqeheshin me mishin e njerëzve
Në vitin 1933, Joseph Stalin dëboi mijëra kundërshtarë dhe të burgosur në një vend të paprekur, të izoluar që më vonë u bë i njohur si “Ishulli Kanibal”.
Ishulli Nazino është një tokë larg qytetërimit me një të shkuar të dhimbshme, që shtrihet afër një lumi në Siberi.
Historia e “Ishullit Kanibal” fillon në vitet ’30-ta me diktatorin famëkeq rus, Joseph Stalin. Atë vit, Bashkimi Sovjetik ishte në mes të një serie spastrimesh brutale ndërsa Stalini eliminoi pa mëshirë këdo që ai e shihte si një kërcënim për regjimin. Andaj ai filloi dëbimin masiv të njerëzve politikisht të padëshiruar në Siberi, ku konsideroi se ata nuk mund ta dëmtonin më sepse do të ishin të zënë duke luftuar për mbijetesë.
Miliona njerëz u internuan përfundimisht në Siberi, kryesisht për vepra të vogla, si në rastet kur ata nuk posedonin dokumentet e tyre të identifikimit me vete në momentin kur ishin ndaluar nga policia.
Pastaj 5,000 veta prej tyre u internuan në brigjet e ishullit Nazino. Autoritetet lokale nuk kishin as burime dhe as përvojë për të trajtuar kaq shumë të internuar, dhe 27 njerëz vdiqën gjatë rrugës për në ishull.
Të lënë jashtë, pa strehë, pa ushqim dhe pa asnjë mjet, këta njerëz ishin të rrethuar nga roje të armatosura që qëllonin këdo që përpiqej të kalonte lumin e akullt. Të burgosurit shpejt u bënë viktima të urisë, sëmundjes, dhunës dhe brutalitetit.
Situata u përkeqësua edhe më shumë kur në ishull u sollën të burgosur të rinj. Njerëzit po çmendeshin nga uria saqë shumë prej tyre u bënë kanibalë. Ato që e kishin pësuar më së shumti ishin gratë, të cilat i lidhnin dhe u prisnin pjesët e trupit për t’i ngrënë. Gjithë këto ngjarje të tmerrshme i dhanë kësaj toke emrin “Ishulli Kanibal”.
Më vonë dëshmitarët dhe të mbijetuarit treguan për përjetimet e tmerrshme të njerëzve në ishull. Një banore e një fshati në Siberi, e cila më vonë kishte strehuar një grua që ishte internuar në ishullin Nazino, në shtëpinë e saj kishte treguar se gruaja mbante këmbët të lidhura me lecka ngase i kishte pulpat e këmbës të prerë. “I prenë dhe i gatuan”, kishte treguar ajo.
Një i mbijetuar tjetër u pyet nëse hëngri “mish njeriu”. “Jo, kjo nuk është e vërtetë,” u përgjigj ai. “Kam ngrënë vetëm mëlçi dhe zemra”.
Deri në gusht, të paktën 4,000 njerëz ishin të vdekur ose të humbur. Sipas një dokumenti sovjetik, të datës 20 gusht 1933, kishte vetëm 2,200 të mbijetuar nga 6.700 të burgosur që ishin dërguar në Nazino.
Tashmë çdo vit një grup i vogël njerëzish udhëtojnë drejt ishullit Nazino, për të kujtuar viktimat e verës së tmerrshmë të vitit 1933. Çdo qershor ata vendosin një kurorë me lule afër një kryqit të vendosur në këtë ishull.