“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan, çfarë realisht ngjau para 635 vjetësh?
KDI: Mbyllja e punimeve të Kuvendit në mes të krizës ekonomike e shëndetësore, e gabuar
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot konferencë për media, gjatë së cilës u shpalosën të gjeturat nga monitorimi dhe vlerësimi i punës së Kuvendit të Kosovës në sesionin pranveror, ndërsa u tha se puna e Kuvendit po është peng i brishtësisë së shumicës parlamentare.
Eugen Cakolli nga KDI, deklaroi që mbyllja e punimeve të sesionit pranveror nga Kuvendi, në kohën kur vendi ndodhet në mes të krizës ekonomike dhe asaj shëndetësore dhe disa projektligje që ndërlidhen me menaxhimin e pandeminë janë ende në procedurë, është i gabuar.
Sipas tij, aktivitetet e Kuvendit gjatë këtij sesioni, veçanërisht gjatë periudhës mars-maj, ishin minimale, kurse performanca në ushtrimin e funksioneve ligjvënëse, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese ka qenë e dobët.
“Përveç problemeve me pandeminë, Kuvendi është ballafaquar edhe me kriza dhe përplasje politike, të cilat kulmuan me votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë ‘Kurti’ dhe votimin e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Gjatë periudhës të ndryshimit të qeverive, Kuvendi ka qenë tejet i limituar në ushtrimin e punës, për shkak të pamundësisë për të ndërvepruar me një qeveri të shkarkuar, e në mungesë të një qeverie të re”, deklaroi Cakolli.
Ai tutje shtoi se puna dhe aktivitetet e Kuvendit në përgjithësi, përveçse të pakta, ishin edhe peng i mungesës së konsensusit politik, përkatësisht të brishtësisë së shumicës së re parlamentare, e cila në shumë raste dështoi të siguronte edhe shumicën minimale për votim në Kuvend.
Edhe pse pas votimit të Qeverisë Hoti, Kuvendi i ishte kthyer punës me kapacitete të plota, dinamika e punës kishte rënë ndjeshëm pas infektimit të disa deputetëve me coronavirus.
Sipas KDI-së, në këtë drejtim, Kuvendi, përkundër presionit publik dhe kërkesave të vazhdueshme, për shkak të mungesës së konsensusit politik, nuk kishte arritur që të bëjë ndryshimet e nevojshme në Rregulloren e Punës, për të mundësuar zhvillimin e punimeve në mënyrë elektronike.
Sa i përket agjendës dhe mënyrës së zhvillimit të punës nga Kuvendi, Cakolli deklaroi që për shkak të pandemisë, ato kishin ndryshuar, meqenëse seancat plenare u zhvilluan pa prani të mediave dhe shoqërisë civile, si dhe, me pajtim të grupeve parlamentare në disa raste u reduktua edhe kohëzgjatja e diskutimeve. “Në anën tjetër, disa prej komisioneve parlamentare, në disa raste aplikuan edhe metodën e mbajtjes së mbledhjeve në mënyrë virtuale” shtoi ai.