Jeta familjare e Zlatanit: Bashkëshortja ime lan e gatuan, kam qarë shumë për Raiolan…
Kosova po e kthen besimin në BE-në
Presidenti Hashim Thaçi më nuk qëndron pas një prognoze që kishte dhënë pesë muaj më parë, kur Miroslav Lajçak ishte caktuar nga BE-ja si përfaqësues i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Atëkohë, kreu i shtetit kishte thënë se misioni i sllovakut është i destinuar të dështojë.
Por, tani ka shfaqur shpresë të madhe në të, shkruan koha.
“Ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian, nga ajo që shoh dhe është aktualisht unik në mbështetje të z. Lajçak, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke, sepse në moment duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes. Pastaj çështjet e tjera vijnë më lehtë dhe jo të fillohet apo të vazhdohet me çështje teknike që i kemi diskutuar dhe ridiskutuar tash e 10 vjet në Bruksel”, ka deklaruar Thaçi.
Edhe Lajçaku ka folur në superlativ për takimin me kreun e shtetit.
“Pata një bisedë shumë të mirë dhe të thellë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. U pajtuam se Kosovës i duhet dialogu dhe i duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Kur në prill ishte emëruar në funksionin e ri ish-kryediplomati sllovak, spektri institucional e politik ishte ndarë në Prishtinë. Pjesa dërrmuese dyshonin në të, meqë vinte nga një prej pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk ia ka njohur shtetësinë Kosovës.
Por, brenda pesë muajsh paragjykimet janë shembur.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Prishtinë, Lajçaku është pritur edhe nga liderë të subjekteve politike që janë pjesë e Kuvendit, përfshirë edhe ata që përfaqësojnë partitë kryesore në opozitë.
Pas takimit që Kadri Veseli e ka pasur me të, PDK-ja ka treguar se çfarë marrëveshjeje me Serbinë do të ishte në gjendje ta përkrahte.
“Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet në komunikatën e PDK-së
Më herët është raportuar se Lajçaku do të vinte në Prishtinë, me qëllimin për ta bindur palën kosovare që të niste diskutimet për themelimin e shpejtë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesë kjo për të cilën këmbëngul Beogradi zyrtar.
Por, pas takimit me të që e ka pasur të martën, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Asociacioni do të formohet tek pas sigurimit të njohjes nga Serbia.
Pas Kosovës, përfaqësuesi i posaçëm për dialogun do ta vizitojë Serbinë, me autoritetet e të cilit shtet pritet të diskutojë për çështjen e Asociacionit dhe vazhdimin e dialogut me Kosovën.