Jeta familjare e Zlatanit: Bashkëshortja ime lan e gatuan, kam qarë shumë për Raiolan…
Liderët e koalicionit e pranojnë se pozita e presidentit mund ta çoj vendin në zgjedhje
Liderët e tri partive në pushtet, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, kanë zhvilluar një takim ku kanë diskutuar për funksionimin e qeverisë. Pas takimit, nuk është përjashtuar mundësia që vendi të shkoj në zgjedhje, nëse partnerët qeverisës nuk arrijnë marrëveshje për koalicionin.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se në takim nuk është diskutuar për pozitën e presidentit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, nëse në të ardhmen nuk arrihet marrëveshja për këtë post.
“Nuk kemi diskutuar për presidentin. Kemi parë të nevojshme që të ulemi, të bisedojmë e të përgatitemi për buxhetin. Kjo çështje nuk është mirë të hapet, sepse kemi një president në zyre. Nëse dështojmë të zgjedhim presidentin, të gjithë jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Mustafa.
Ai nuk ka dashur të komentojë takimin e djeshëm mes Haradinajt, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjes nëse do të dalë nga koalicioni qeverisës nëse nuk merr postin e presidentit.
“Nuk jemi në këtë klimë të daljes e të hyrjes, jemi në punë, me përkrah veten dhe vendin, nëpër disa situata që mundemi me qenë. Besojmë se do ta gjejmë një zgjidhje të duhur për të gjithë ne”, ka thënë Haradinaj.
Partia e tij, AAK-ja, ngul këmbë se Haradinajt i takon posti i presidentit dhe anëtarë të kësaj partie në shumë raste kanë kërcënuar me prishje të koalicionit nëse kjo nuk ndodh.
Mandati i Hashim Thaçit si president përfundon në pranverë, por mund të përfundojë edhe më herët, në rast se ndaj tij konfirmohet aktakuza nga Specialja.
Në fakt, sipas Haradinajt, qëllimi i takimit të sotëm me Mustafën e Limajn, ishte ligji për buxhetin dhe ai për rimëkëmbjen ekonomike.
Foli edhe për aktakuzat e Speciales ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Ai shpreson se nuk do të ketë konfirmim të aktakuzave.
“Besojmë edhe në këtë rast dhe shpresojmë se nuk do ketë konfirmim të propozim aktakuzave. Nëse ka, ne nuk lëkundemi nga besimi në luftën e drejtë të UÇK-së dhe pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së të të gjitha niveleve”, tha ai.