
Në Shqipëri shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor, në Kosova jo
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka dhënë sot lajmin e rëndësishëm për shtyrjen e datës së fillimit të vitit të ri shkollor, nga data 13 shtator që ishte planifikuar, në 27 shtator 2021. Ky vendim është marrë për të zgjatur periudhën e mësimit plotësues, i cili nis më datë 1 shtator 2021.
Nëpërmjet një videoje, ministrja Kushi ka dhënë detaje në lidhje me këtë vendim të rëndësishëm.

“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021”- shprehet ministrja në statusin e saj në rrjetin social.
Ajo gjithashtu shprehet se gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.
Ndërkohë në Kosovë paralajmërohet fillimi i vitit të ri shkollor më 1 shtator. Edhe pse vendi aktualisht po goditet nga vala më e përhapur e koronavirusit, Ministria e Arsimit pret që të mos ketë vonesa dhe ka lutje për arsimtarët që të vaksinohen sa më shpejt.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se deri tani numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, është 55.094.

“Bazuar në këto të dhëna shihet se ditëve të fundit ka pasur një rritje të interesimit për t’u vaksinuar. Meqë jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik, ftoj edhe njëherë të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen”.
“Ne jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe atij akademik dhe po synojmë që ky proces të nis me prezencë fizike. Meqë jemi në situatë pandemie, paraprakisht duhet t’i plotësojmë kushtet për një fillim sa më të mbarë. Prandaj vaksinohuni”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.
Kursr zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Berdyna në një konferencë për medie, tha se janë duke bërë përgatitjet që mësimi të fillojë më 1 shator në objektet shkollore.
“Na ndajnë edhe pak para fillimit të vitit të ri shkollor, ku jemi duke bërë përgatitjet që mësimi të fillojë në kohë dhe me datën 1 shtator, gjithmonë me masat dhe kontrollimin e shkollave dhe që vaksinimi të jetë në nivel”, tha ajo.