Tim Judah: Shtyerja e bërrylave Vuçiq-Kurti mund të bëhet e rrezikshme
Analisti dhe gazetari i njohur britanik, Tim Judah ka paralajmëruar mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës.
Sipas tij, ushtria serbe është duke u vendosur në afërsi të kufijve në veri të Kosovës, bazuar në raportimet e ndryshme.
“Ushtria serbe raportohet se është duke ju ofruar kufijve të Kosovës dhe Policia e Kosovës tashmë ka zbarkuar në veri. Tërë kjo pasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur të njëjtat rregulla për tabelat e regjistrimit serbe ashtu sikurse bënë Serbia për ato të Kosovës. Shtyerja e bërrylave Vuçiq-Kurti mund të bëhet e rrezikshme”, ka shkruar Judah.
Kujtojmë se sot që nga orët e mëngjesit njësitë speciale të Republikës së Kosovës kanë filluar implementimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitetin me targat serbe të automjeteve.
Institucionet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë në shenjë pakënaqësie.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë kalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.