Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar
Vitia kumton masat e reja që hyjnë në fuqi nga 27 shtatori
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i ka kumtuar edhe zyrtarisht masat e reja të marra nga Qeveria në konsultim me IKSHPK-në.
Gjatë një konference për media, Vitia tha se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend nga e hëna e javës së ardhshme.
“Nga rekomandimet e dy javëve paraprake kemi pasur shumë takime dhe diskutime për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator, pra nga e hëna e ardhshme. Sot kemi marrë edhe rekomandimet e fundit nga IKSHPK-ja, për këto masa”, ka thënë Vitia.
Ndër të tjera, Vitia deklaroi se tashmë në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do të kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë që punonjësi nuk është i infektuar me Covid-19.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar tani nga institucionet shtetërore dhe një mori e institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testeve përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë. Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, call center, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publik dhe privat që punojnë me palë.
Ministri Vitia njoftoi se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.
“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20”, ka thënë Vitia.
Vitia tha se këto masa do të votohen nesër në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Masat që pritet të hyjnë në fuqi janë:
– Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës. Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe.
– Institucionet do të punojnë me kapacitete të plota, personeli duhet të ofrojë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse.
– Kufizimi i lëvizjes vazhdon të mbetet i njejtë, nga ora 22:00 – 05:00h.
– Gastronomia do të vazhdojë me të njejtin orar. Lejohet puna brenda lokaleve për personat që ofrojnë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse. Kjo nuk vlenë për ambientet e jashtme të gastronomisë.
– Personeli i sektorit Publik dhe privat, të cilët kanë punë me palë, duhet të janë të vaksinuar ose të ofrojnë dëshmi për testet relevante.