Rusia tashmë e trajton Republikën Srpska të Bosnjës si një shtet të pavarur
Partitë opozitare kundër mbajtjes së referendumit serb
Partitë opozitare, PDK dhe AAK, kanë dalë kundër lejimit të mbajtjes së referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se mbajtja e referendumit është shkelje direkte e sovranitetit të vendit dhe si i tillë është i papranueshëm.
“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”, ka thënë Krasniqi.
Derisa partia e Ramush Haradinajt ka thënë se kjo është një përpjekje e Serbisë për të ushtruar sovranitetin e saj në Kosovë dhe një gjë e tillë duhet kundërshtuar.
“Në territorin e Republikës së Kosovës, nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendum i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Inkurajojmë dhe mbështesim të gjithë ata që e kundërshtojnë organizimin e këtij referendumi. Presim që zyrtarët e BE-së të jenë, së paku të paanshëm në raport me këtë çështje kaq të ndjeshme juridike e politike”, ka thënë Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.
Kundër referendumit ka dalë edhe LDK. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij e sheh si të papranueshëm mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.
Ai tha se edhe praktikat ndërkombëtare janë të njohura për çështje të tilla dhe tha se duhet mbështetur respektimi i normave të tilla, njofton Klan Kosova.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”.
Para pak minutash në zyrën e presidentes Vjosa Osmani ka nisur takimi me ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe shefin e BE-së në Kosovë. Në këtë takim ku po flitet për këtë çështje po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili paraprakisht konfirmoi refuzimin ndaj kërkesës së tyre.