https://www.supersport.al/psv-me-te-dyja-duart-te-titulli-mbremje-rekordesh-ne-heerenveen/
Vrasja për 20 euro borxh
Sylejman Ahmeti është ulur në bankën e të akuzuarve për t`u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Aktakuza e ngarkon Ahmetin se shkaku i një mosmarrëveshjeje për një borxh prej 20 euro që i ndjeri ia kishte vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e kishte vrarë Shaip Krasniqin.
Në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Nderim Alija, i cili theksoi se ditën kritike, më 26 janar 2020, derisa ai ishte duke ndenjur me të ndjerin Shaip Krasniqin te lokali i Liman Aliut, aty kishte ardhur i akuzuari Sylejman Ahmeti.
Sipas dëshmitarit Alija një mosmarrëveshje midis të ndjerit dhe të akuzuarit kishte lindur në momentin kur Shaip Krasniqi nuk ia kishte zgjatur dorën Sylejman Ahmetit.
“Deri sa kemi qenë së bashku duke ndenjur, në lokal ka ardhur Sylejman Ahmeti i cili i ka folur pronarit të lokalit dhe pastaj ia ka zgjatur dorën Shaip Krasniqit, ky nuk ia ka zgjatur dorën dhe ka pasur fjalosje ku Shaipi e ka sharë me nënë të akuzuarin”, deklaroi dëshmitari Nderim Alija.
Tutje sipas dëshmitarit, pas fjalosjes dhe pasi e kishin larguar të ndjerin Shaip Krasniqi për në oborr, i ndjeri Krasniqi e kishte marrë një dru-bisht dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit.
“Në momentin kur e kam pa situatën unë kam shkuar në drejtim të Shaipit që ta ndali, mirëpo nuk kam arritur. Në atë moment janë dëgjuar krisma dhe nga frika unë kam ikur nga vendi i ngjarjes”, tha dëshmitari.
I njëjti përpara trupit gjykues deklaroi se nuk e dinte arsyen se pse ishin sharë mes vete i akuzuari dhe i ndjeri, pasi aty kishte ndenjur vetëm 5 minuta por shtoi se i akuzuari në ditën kritike kishte porositur një birrë.
Dëshmitari po ashtu shtoi se Sylejman Ahmetin dhe të ndjerin Shaip Krasniqin i kishte pasur bashkëfshatarë dhe për ta kishte dëgjuar fjalë të mira.
Në këtë gjykim, i cili filloi rishtas, nga kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha u aprovua kërkesa e avokatit të të akuzuarit Sylejman Ahmeti, Nazmi Mustafa, që të bëhet ekzaminimi psikik i të akuzuarit pranë IPFK-së në Prishtinë.
Seancat e radhës për këtë rast do të mbahen më 1 dhe 2 mars 2022.
Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e privon nga jeta Shaip Krasniqin.
Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.
Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.
Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje. /kallxo.com/