Drogat e ngjashme me Ozempic mund të ndihmojnë në menaxhimin e varësisë nga droga dhe
Ukraina mposht trupat ruse në Kharkiv, i largon 10 km nga kufiri
Kundërofensiva e Ukrainës rreth qytetit të Kharkivit i ka shtyrë trupat ruse prapa, deri në 10 kilometra nga kufiri, derisa dy shtetet po zhvillojnë betejën për Ishullin e Gjarprit.
Trupat ruse, të mërkurën, kanë zhvilluar 34 sulme ajrore në fabrikën Azovstal, të mbështetura edhe nga artileria dhe tanket. Ndërkohë, 44 trupa janë gjetur nën rrënojat e një ndërtese të shkatërruar nga rusët në Izyum.
Rusia nuk po i ndal operacionet sulmuese në Zonën Operative Lindore për të vendosur kontroll të plotë mbi territorin e rajoneve Donetsk, Luhansk dhe Kherson dhe për të ruajtur korridorin tokësor midis këtyre territoreve dhe Krimesë së pushtuar më 2014.
Forcat ruse po rrisin ritmin e operacioneve sulmuese strategjike në Zonën Operative Lindore. Aktiviteti më i madh i pushtuesve vërehet në drejtimet Slobozhansky dhe Donetsk.
President i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia ka zhvilluar 2.154 sulme raketore në Ukrainë, raportoi Ukrinform, të mërkurën.
“Vetëm mendoni për këtë shifër të tmerrshme: 2154 raketa ruse goditën qytetet dhe komunitetet tona në pak më shumë se dy muaj. Janë regjistruar 2770 paraqitje të avionëve armik në qiellin tonë. Bombardimet ruse të Ukrainës nuk pushojnë asnjë ditë apo natë. Brenda dy ditësh, më 8 dhe 9 maj, kur evropianët nderuan kujtimin e viktimave të Luftës së Dytë Botërore dhe festuan Ditën e Evropës, ushtria ruse lëshoi 25 raketa që synonin vetëm Odesën dhe rajonin e Odesës. Të 25 raketat ishin drejtuar në objekte civile”, ka thënë Zelensky gjatë fjalimit të tij në parlamentin e Maltës.
Ndërkohë, vetëm më 10 maj, Forcat e Armatosura të Ukrainës (UAF) kanë njoftuar se kanë shkatërruar 4 tanke, 2 transportues të blinduar, 2 automjete luftarake këmbësorie, 4 mjete artilerie vetëlëvizëse, 72 automjete motorike, 2 mjete ajrore pa pilot, 12 mjete luftarake të blinduara, dy automjete speciale inxhinierike, shtatë automjete motorike, 1 helikopter Mi-24 dhe 3 UAV Orlan-10 në Zonën e Operacioneve të Forcave të Përbashkëta (JFO) në Luhansk dhe Donetsk.