Kampionati i vajzave U-17/ Vllaznia shpallet ekipi kampion për sezonin 2023/2024
Bronx emëron një rrugë me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – kryebashkiaku i New Yorkut në festën e shqiptarëve
Një rruge në Bronx të New Yorkut, ku jetojnë shumë shqiptarë, këtë të diel i është vënë emri i heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Me flamuj kuq e zi e veshje kombëtare, ishin mbledhur fëmijë, gra e burra për të festuar.
Por, pjesë e festës ishte edhe kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams.
Përmes një shkrimi në Twitter, Adamas thuri lavdë për shqiptarët.
Ai tha se shqiptarët janë komunitet i madh në New York, të cilët e gjallërojnë qytetin. E po ashtu edhe biznesmenë të suksesshëm.
“Ne jemi shtëpia e komunitetit më të madh shqiptar në Amerikë. Shqiptaret në SHBA janë pronarë biznesesh të vogla, punëtorë të vijës së pare, që e bëjnë qytetin tonë të gjallë. Ishte një nder t’u bashkohesha sot për të festuar një hero kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, ka shkruar kryebashkiaku.
Përveç emërtimit që mori rruga e re, një tjetër rrugë në Nju Jork e mban emrin e veprimtarit të shquar shqiptar, Fan Noli.
Ndërkaq, sipas Deutschewelle-s, New-Yorku është stacioni i parë i emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Evropa në Amerikë.
Një pjesë e tyre qëndrojnë në këtë epiqendër zhvillimi në bregun lindor të kontinentit, shumë të hapur për të sapoardhurit. Pjesa tjetër vazhdon rrugën më tej për të shkuar në thellësi të Amerikës.
Nga 200 mijë shqiptarë që kanë imigruar në Amerikë pas viteve ’90, një e katërta ka qëndruar në New York.
Këta shqiptaro-amerikanë jetojnë nëpër lagjet në Bronx, Staten Island, Queens, Brooklyn, të ngritura sipas zonave prej nga kanë ardhur nga Ballkani.
Kryeministri Kurti përshëndetë inaugurimin e rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në New York
Detroit, 15 maj 2022
Në pamundësi për të kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në lagjen Bronx të New Yorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka dërguar një letër urimi organizatorëve të ngjarjes. Nëpërmjet saj, kryeministri Kurti i ka përgëzuar inicuesit për angazhimin dhe punën e bërë për emërtimin e rrugës me emrin e heroit kombëtar.
Letra e plotë e kryeministrit Kurti:
“Ju faleminderit për ftesën tuaj për ta kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Crescent Ave dhe Arthur Ave në lagjen e Italisë së vogël në Bronx.
Përmes këtij urimi, më lejoni t’ju uroj përzemërsisht për angazhimin dhe punën që keni bërë për të realizuar këtë emërtim të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Aktualisht jam në Michigan dhe më vjen keq që nuk mund të jem sot aty me juve, mirëpo me të gjithë bashkatdhetarët së bashku ju përshëndesim nga tubimi ynë këtu në Detroit.
Heroi ynë kombëtar është në zemrat tona kudo që ndodhemi e ngado që shkojmë. Mërgata shqiptare është aktive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jeton në komunitet, organizohet politikisht dhe kërkon të lërë gjurmët e saj në topografinë urbane të Nju Jork-ut. Prandaj për të kujtuar identitetin shqiptar kërkon vendosjen e Skënderbeut dhe Fan Nolit si emra të rrugëve në Nju Jork.
Edhe një herë, ju falënderoj për ftesën tuaj dhe mezi pres që të bashkoheni në ngjarjet e ardhshme në Nju Jork”.