SpaceX lëshon dy astronautë në hapësirë për udhëtimin historik
Nisja drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës e dy astronautëve të NASA-s në bordin e raketës Falcon 9, u bë realitet të shtunën pasdite, pas një prove të dytë.
Lëshimi i astronautëve, Kolonelit të Marinsave Doug Hurley dhe Kolonelit të Forcave Ajrore Bob Behnken, i jep fund një pauze nëntë vjeçare të NASA-s.
Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, u lëshua nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida dhe udhëtimi deri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës zgjat 19-orë.
Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence panë lëshimin e anijes vga Cape Canaveral i Floridës.
Për Elon Musk, ngjarja e së shtunës shënon një tjetër moment historik për raketat me shumë përdorime të kompanisë kaliforniane Hawthorne, të cilat e bëjnë fluturimin hapësinor më pak të kushtueshëm dhe më të shpeshtë.
Kjo shënon gjithashtu herën e parë që një mjet hapësire i zhvilluar dhe operuar në mënyrë private, e jo NASA, dërgon amerikanë në orbitë rreth Tokës.
ASTRONAUTËT
Kur anija e hapësirës Atlantis u nis për herë të fundit nga Cape Canaveral më 8 korrik 2011, ajo drejtohej nga astronauti i NASA-s Doug Hurley.
Tani gati një dekadë më vonë, Hurley është një nga dy pilotët e provës për anijen raketë krejt të re të prodhuar nga SpaceX për këtë fluturim.
Astronautët e NASA-s, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken janë shokë klase, miq, veteranë të eksplorimit të hapësirës, të martuar me veterane të hapësirës dhe kanë të dy djem të rinj.
Ata përdorin të njëjtën platformë lëshimi ku Atlantis mbylli programin e nisjeve në 2011, viti i fundit i lëshimit nga vendi i tyre për astronautët e NASA-s.
Fluturimi i tyre shënon rikthimin e nisjes së astronautëve nga Shtetet e Bashkuara, si dhe të parin e këtij lloji nga një kompani private.