Liberalizimi i vizave në fazën finale, më 18 prill votohet në Parlamentin Evropian

Shembja e Teatrit Kombëtar përcillet me përplasje me policinë
Tensione e përplasje me policinë kanë përcjellë shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Me këtë rast, disa aktorë që protestonin për ruajtjen e godinës janë shoqëruar në polici.
Siç raportojnë mediat në Shqipëri, për të kryer shembjen e Teatrit Kombëtar, ishte e nevojshme edhe ndërhyrja e policisë dhe forcave Renea të cilët larguan protestuesit nga godina e teatrit.
Grupi i artistëve rezistentë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar së bashku me disa politikanë janë shoqëruar në komisariat, ndërsa zona vazhdon të jetë e blinduar nga forcat e policisë.

Policia e Shtetit ka shpërndarë një njoftim për mediat ku informon mbi situatën e krijuar te Teatri Kombëtar. Polica kërkon respektim të distancimit social, dhe thotë se tubime të tilla në kohë pandemie janë të paligjshme.
“Duke përfituar nga ky komunikim, Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politikë, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19.
Mosrespektimi i distancës sociale rrezikon gjithë përpjekjen disajavore të gjithë qytetarëve, të cilët kanë respektuar me rigorozitet udhëzimet”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër aplelohet për shmangie të dhunës, ndërsa në Spitalin e Traumës po mjekohet një punonjës policie.
“Gjithashtu apelojmë fort për këdo që të shmangë përplasjen me forcat e Rendit që janë në krye të detyrës.
Në spitalin e traumës një punonjës policie është duke marrë ndihmë mjekësore, pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit.
Gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka postuar një video në facebook ku tregon se protestuesit që protestonin për ruajtjen e godinës nuk e duan zhvillimin e kryeqytetit.
Videoja e postuar nga Rama:
Zhvillimet e orëve të para të mëngjesit në Tiranë që përcollën nisjen e shembjes së Teatrit Kombëtar janë komentuar edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ai tha se ky veprim i bërë nga Edi Rama shpjegohet me tre fjalë: dhunë, babëzi dhe hajdutëri.
“Kjo që ndodhi sot shpjegohet me tre fjalë. Dhunë, babëzi dhe hajdutëri është kjo që ndodhi sot. Përgjegjësi i vetëm për këtë situatë, për prishjen e teatrit, për dhunimin e mediave dhe dhunimin e protestuesve është Edi Rama”, theksoi Basha.
“Në fillim policia ka ushtruar dhunë ndaj gazetarëve pastaj ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë dhunuar dhe arrestuar nga policia” theksoi lideri opozitar, Lulzim Basha.
Në lidhje me këto zhvillime kanë reaguar edhe Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, duke kërkuar dialog mes palëve në vend të konfrontimit.