Veprimet e autoriteteve lënë për të dëshiruar, jemi dy ditë para sfidës me Izraelin

Se njohin si shtet dhe refuzojnë të luajnë futboll me Kosovën
Ka shumë shtete që ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Por, janë tri prej tyre që nuk pranojnë as të luajnë futboll me Kombëtaren e Kosovës në futboll apo me ekipet përfaqësuese nga Kosova. Fjala është për Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Rusinë. Përderisa vende tjera që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë në UEFA apo FIFA që të mos ndeshen me Kosovën apo ekipet e saj.
Zyrtarët në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë bërë me dije se rregulli që të mos ketë ndeshje me këto shtete apo ekipe nga këto shtete vlen në çdo rast, përveç atëherë kur përfaqësueset e këtyre vendeve ose ekipet e tyre arrijnë në fazën eliminatore ose finale të ndonjë gare apo kampionati.

Sipas vendimit të UEFA-s ndeshjet eventuale të ekipeve të Kosovës me ekipet e këtyre tre vendeve, në rast se arrijnë në fazën e eliminatoreve ose finaleve, do të luhen në terrene neutrale. Ndërkaq, në rastin e kombëtareve, për kualifikimet për kampionate evropiane, UEFA do të kujdeset që të shmangë pjesëmarrjen e tyre brenda një grupi garues.
Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë kërkuar me shkrim që të evitohen takimet e ekipeve, por edhe përfaqësueseve të Kosovës në ndeshjet kualifikuese. Po ashtu, edhe Rusia ka ndjekur rrugën e tyre. Kështu që me një vendim të Komitetit urgjencë të UEFA-s, është vendosur që edhe Rusia të mos luajë me ekipet e Kosovës në vend të vet, por të paktën në terrene neutrale.
Sipas këtyre rregullave apo përjashtimeve, deri në fazën finale të garave do të veprohet kështu, por në fazën finale të kampionateve evropiane, takimet nuk mund të evitohen, sepse konsiderohet që po luhen në terrene neutrale.
“Nëse është kampionat evropian apo kampionat botëror, sigurisht që do të luhet sipas agjendës që është përcaktuar, sepse askush nuk mund të lëvizë aty më. Por, nëse është për garat ekipore, që nuk mund të evitohet më në fund, atëherë sigurisht do të luhet në terren neutral ose vajtje –ardhje, nëse eventualisht ekipet pajtohen”, kishte sqaruar këtë vendim Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës Eroll Salihu.

Ndonëse loja e futbollit kryesisht prezantohet si jopolitike, megjithatë këto vendime të federatave ndërkombëtare të futbollit, FIFA dhe UEFA, janë marrë duke u mbështetur në gjenden politike dhe në raportet jo miqësore mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Kosovës dhe Rusisë dhe Bosnje e Hercegovinës.