Nemanja Millosheviq për Geopost: Vuçiq pret Putinin në Danub dhe Trumpin në Shtëpinë e Bardhë,

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Thaçit për Qeverinë
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Një vendim i tillë, është bërë publik përmes një njoftimi nga Kushtetuesja, e cila ka paralajmëruar se së shpejti do të shpallë edhe akgjykimin e plotë.
Ky interpretim i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi që të procedojë tutje me dekretin tashmë të shpallur për mandatimin e Avdullah Hotit për pozitën e kryeministrit.
“Me këtë vendim, Kushtetuesja konstaton se Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës dhe njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020”.
Dekreti i presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër, ishte kontestuar nga Lëvizja Vetëvendosje, por Kushtetuesja tashmë e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.
Këtë vendim, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në Rubikon në Klan Kosova, e ka quajtur “skandaloz”, ndërsa ka thënë që ky vendim do të shkaktojë “revoltë qyrtetare”.
“Revolta vjen prej pakënaqësisë së natyrshme që nuk ka me pasë të votohet më në Kosovë dhe tash e tutje krijohet një sistem politik në të cilin nëse nuk e ke fituar 51 % të votave, nuk ke fituar asnjë votë.

Gjithçka më pak se 51 e votave, ia garanton partnerit të koalicionit që të të rrëzojë kur të dojë dhe të bëjë marrëveshje brenda 25 minutave me partitë opozitare
Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një “provë proteste”, përmes së cilës e ka përsëritur qëndrimin e saj se pranon vetëm zgjedhje dhe asessi qeveri të re, pa partinë fituese.

Ndër të parët që e ka mirëpritur aktgjykimin e Kushtetueses ishte Presidenti Hashim Thaçi. “E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. “Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e SHBA-së, të transmetuar përmes Ambasadës Amerikane.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dëshmuar se drejtësia në Kosovë ekziston, ka deklaruar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Këto komente, ai i bëri për RTV Dukagjini. Mustafa tha se LDK ka respektuar gjithmonë Kushtetuesen dhe u bëri thirrje edhe partive tjera që ta respektojnë atë.

“Jam i bindur që ky vendim do të respektohet nga të gjithë”, tha Mustafa.
Ai tha se Kuvendi do të mblidhet që të votojë qeverinë e re, ngase askush nuk ka të drejtë ta pengojë këtë institucion në punën e vet.
Bazuar në dekretin e presidentit Thaçi, sapo që Gjykata Kushtetuese ta shpallë edhe vendimin final, më pastaj i mbetet Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe mandatarit të saj për kryeministër, Avdullah Hoti, që t’i drejtohet edhe njëherë Grupit Parlamentar të LDK-së që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për votimin e qeverisë së re të Kosovës, e cila sipas formulës së propozuar, përveç LDK-së, do të përbëhet edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe pakicat.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka përshëndetur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re.
“Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Për të interpretuar përfundimisht nenet kushtetuese që ndërlidhen me rrethanat e rastit konkret përkatësisht nenet 82, 95 dhe 100 të Kushtetutës, Gjykata, mori parasysh, parimet kushtetuese mbi rolin e Kuvendit dhe të Presidentit, praktikën e saj gjyqësore, përfshirë Aktgjykimin e vitit 2014 dhe të gjitha rastet e cituara nga palët në procedurë, pastaj opinionet relevante të Komisionit të Venecias, analizën krahasimore të Kushtetutave, përfshirë ato të referuara nga parashtruesit e kërkesës e të ngjashme.
Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës votoi suksesshëm mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, mbi bazën e mocionit të ngritur nga LDK-ja dhe të mbështetur nga opozita. Që atëherë, qeveria Kurti është në dorëheqje, por ka vazhduar punën si qeveri në detyrë.