
Hoti nuk beson se Vetëvendosje mund ta rrëzojë Qeverinë
Lëvizja Vetëvendosje, sipas kryeministrit, Avdullah Hoti, nuk i ka votat e nevojshme për të rrëzuar Qeverinë.
Në një intervistë online, Hoti ka thënë për T7 se qeveritë në Kosovë asnjëherë nuk janë rrëzuar nga opozita, por nga partitë që ishin në pushtet. Kryeministri i Kosovës, po qëndron në shtëpi pasi që ishte diagnotiskur me COVID-19.
“Qeverinë nuk e ka rrëzuar asnjëherë opozita. Ajo rrëzohet nga brenda. Opozita nuk i ka votat. Kemi nevojë të shqyrtojmë shumë çështje brenda koalicionit. Po punojmë për marrëveshjet e brendshme. Fokuset tona janë luftimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike”, tha ai në këtë intervistë.
Gjatë ditës, Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi kishte konfirmuar se kjo parti politike ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga LDK-ja dhe kryeministri Hoti.
Selimi ka thënë për RTV Dukagjini se llogarisin edhe në votën e Vjosa Osmanit për rrëzimin e qeverisë.
“Në Vjosa Osmanin llogarisim më shumë se një votë sepse ajo tashmë është një personalitet i respektuar në skenën politike. E respektojmë edhe në aspektin e aleatit dhe atë të kundërshtarit”, ka thënë Selimi.
Vetëvendosje pretendon të sigurojë të paktën 61 vota të deputetëve për rrëzimin e Qeverisë. Kjo nismë e VV-së besohet se do të kishte sukses vetëm nëse përkrahet nga PDK-ja.